Home Kosovë Rubio mesazh stafit të DASH pas tërheqjes së Guilfoyle nga Greqia: Shmangni...

Rubio mesazh stafit të DASH pas tërheqjes së Guilfoyle nga Greqia: Shmangni konfliktet e interesit

4
0

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u kujtoi në mënyrë të prerë rregullat e etikës stafit të Departamentit të Shtetit, vetëm një ditë pas vendimit të Donald Trump për ta larguar Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores së SHBA-së në Athinë, pas ankesave lidhur me sjelljen e saj gjatë ushtrimit të detyrës.

Sekretari Amerikan i Shtetit u përqendrua veçanërisht te çështjet e etikës, duke u dërguar një mesazh të gjithë punonjësve të Departamentit, në të cilin u kërkonte të “shmangnin konfliktet e interesit”.

“Pres që punonjësit të shmangin konfliktet e interesit në punën tonë, të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe të mos i përdorin postet tona publike për përfitime personale,” shkroi Rubio në një memo të publikuar nga gazeta “Washington Post”.

Raportimi i Washington Post:

Kimberly Guilfoyle, e cila dikur ka qenë e fejuara e djalit të Trump, Donald Trump Jr., akuzohet për një sërë shkeljesh etike; ndër të tjera, ajo dyshohet se i ka kërkuar një donatori politik 100,000 dollarë për të shlyer faturën e saj personale të “American Express”, sipas disa raportimeve të *Wall Street Journal*.

Rubio u detyrua të merrej me skandalin etik që shpërtheu gjatë një vizite diplomatike në Greqi në fillim të këtij muaji, vizitë gjatë së cilës ai u shfaq i irrituar nga pyetjet e gazetarëve lidhur me veprimet e saj.

Guilfoyle i mohoi akuzat, por Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në Departamentin e Shtetit nisi një hetim mbi sjelljen e saj, bëri të ditur një zyrtar amerikan, i cili, ashtu si të tjerët, foli në kushtet e anonimitetit për çështje që lidhen me personelin.

Trump u distancua nga Guilfoyle, duke u thënë gazetarëve të martën se e kishte shkarkuar atë pasi nuk i kishin pëlqyer gjërat që kishte lexuar për të në media.

“Ajo nuk ishte pjesëtare e familjes sime. Me sa mbaj mend, ka pasur një lidhje me djalin tim shumë kohë më parë,” tha ai. Çifti njoftoi ndarjen në dhjetor të vitit 2024. “Ajo shkoi në Greqi dhe bëri një punë të mirë, por nuk na pëlqyen gjërat që lexonim për të,” shtoi ai.