Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka tërhequr vëmendjen me një paraqitje ekstravagante në premierën e filmit të ri “Klara and the Sun”, në kuadër të Festivalit të Filmit në Londër.
E veshur me një fustan të zi transparent prej dantelle, me fund të fryrë, Rita e kompletoi pamjen me një aksesor të madh të zi në kokë, me detaje që ngjanin me gjemba.
Sipas Daily Mail, këngëtarja 35-vjeçare mori pjesë në premierën e së enjtes për të mbështetur bashkëshortin e saj, regjisorin Taika Waititi.
Rita pozoi në tapetin e kuq përkrah bashkëshortit, si dhe me aktoret kryesore të filmit, Jenna Ortega dhe Amy Adams.
Edhe Jenna Ortega u shfaq me një stil elegant, duke zgjedhur një fustan saten ngjyrë ari, të ngushtë pas trupit, të kombinuar me një aksesor koke në të njëjtën ngjyrë dhe detaje delikate dantelle.
Filmi “Klara and the Sun” rrëfen historinë e Klarës, një vajzë-robot e krijuar për të luftuar vetminë, e cila krijon një lidhje të veçantë me një adoleshent në një të ardhme ku përparimet teknologjike dhe inxhinieria gjenetike kanë krijuar ndarje të thella mes njerëzve.
Me zgjedhjen e saj të guximshme, Rita Ora konfirmoi edhe një herë stilin e saj të veçantë në tapetin e kuq, duke e kthyer paraqitjen në një nga momentet që tërhoqën vëmendjen në premierë.









