Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar pas sulmit ndaj Komisariatit të Policisë nr. 3 në Tiranë, ku mbetën të plagosur 10 punonjës policie. Sipas tij, persona të maskuar përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta kundër godinës dhe efektivëve që ndodheshin në shërbim.
Në deklaratën e tij, Hita theksoi se punonjësit e plagosur nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave. Ai shtoi se sulmi krijoi rrezik edhe për personat e shoqëruar që ndodheshin brenda ambienteve të komisariatit.
“Sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë”, deklaroi Hita, duke e cilësuar dhunën ndaj efektivëve si të papranueshme dhe të dënueshme me ligj.
Kreu i Policisë së Shtetit bëri të ditur se edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar sulme të tjera ndaj uniformave blu, me gurë, lëndë piroteknike, sfera metalike dhe bomba molotov, të cilat kanë shkaktuar plagosjen e disa punonjësve të tjerë.
Sipas Hitës, prej gjashtë ditësh efektivët e policisë po përballen me akte të përsëritura dhune, ndërsa vijojnë të garantojnë rendin dhe sigurinë publike.
Ai njoftoi se strukturat policore po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë në sulme, dokumentimin e veprimeve të tyre dhe referimin e provave pranë organeve të drejtësisë. Hita paralajmëroi se personat për të cilët provohet përgjegjësia penale do të përballen me pasojat e parashikuara nga ligji.
Njëkohësisht, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u shpreh se e drejta për protestë paqësore mbetet e garantuar, por theksoi se ajo nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën apo sulmet ndaj institucioneve.
Hita tha se ka udhëzuar strukturat policore të veprojnë me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri, duke respektuar ligjin, procedurat standarde dhe parimin e proporcionalitetit.
“Vendosmëria për të ndaluar dhunën duhet të shoqërohet në çdo rast me respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve”, u shpreh ai.
Në përfundim, kreu i Policisë së Shtetit u bëri thirrje protestuesve që ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën e tyre të distancohen nga aktet e dhunshme, ndërsa siguroi se policia do të vijojë detyrën për garantimin e sigurisë publike.
“Policia e Shtetit nuk është kundërshtare e qytetarëve. Ajo është në shërbim të tyre”, përfundoi Hita.
DEKLARATË E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT, DREJTUES MADHOR SKENDER HITA
Të nderuar qytetarë,
Në orët e mbrëmjes, Komisariati i Policisë Nr. 3 në Tiranë u bë objekt i një sulmi të rëndë dhe të paprecedentë nga grupe personash të maskuar, të cilët përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta kundër godinës dhe punonjësve të Policisë.
Si pasojë e këtij sulmi, mbetën të plagosur 10 punonjës të Policisë, të cilët ndodheshin në krye të detyrës, në shërbim të ruajtjes dhe sigurisë së Komisariatit. Dua të theksoj se këta punonjës nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave.
Sulmi krijoi një rrezik serioz jo vetëm për jetën dhe shëndetin e punonjësve të Policisë, por edhe për personat e shoqëruar që ndodheshin brenda ambienteve të Komisariatit.
Dua të jem shumë i qartë për të gjithë se sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë.
Goditja e punonjësve të Policisë me bomba molotov dhe mjete të tjera të rrezikshme është dhunë e rëndë, e cila dënohet nga ligji dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë.
Edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar sulme të tjera ndaj punonjësve të Policisë, me përdorimin e gurëve, lëndëve piroteknike, sferave metalike dhe bombave molotov, duke shkaktuar plagosjen e disa punonjësve të tjerë.
Prej gjashtë ditësh, punonjësit e Policisë së Shtetit po përballen me akte të përsëritura dhune, ndërkohë që vijojnë të përmbushin detyrën e tyre për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Dhuna ndaj punonjësve të Policisë, sulmet ndaj institucioneve dhe rrezikimi i jetës së njerëzve nuk mund të tolerohen.
Policia e Shtetit po punon për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në këto sulme, dokumentimin e veprimeve të tyre dhe referimin e provave pranë organeve kompetente të drejtësisë.
Çdo person për të cilin provohet përgjegjësia penale do të përballet me pasojat që parashikon ligji.
Askush nuk mund ta përdorë të drejtën kushtetuese të protestës si mburojë për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë apo për të shkatërruar pronën publike dhe private.
E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar dhe Policia e Shtetit ka detyrimin ta mbrojë atë. Por po aq i qartë është detyrimi ynë për të ndërhyrë, në përputhje me ligjin, ndaj çdo veprimi që cenon jetën, sigurinë dhe rendin publik.
Kam udhëzuar të gjitha strukturat policore të vijojnë përmbushjen e detyrës me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri, duke respektuar rigorozisht ligjin, procedurat standarde dhe parimin e proporcionalitetit.
Vendosmëria për të ndaluar dhunën duhet të shoqërohet në çdo rast me respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve.
U bëj thirrje të gjithë personave të përfshirë në veprime të dhunshme që t’i ndërpresin menjëherë ato. Çdo sulm i mëtejshëm ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve apo pronës së qytetarëve do të marrë përgjigjen e parashikuar nga ligji.
Njëkohësisht, u drejtohem të gjithë qytetarëve, veçanërisht atyre që ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën e protestës, që të distancohen nga personat që përdorin dhunën dhe të mos lejojnë që veprimet e tyre të rrezikojnë sigurinë e të tjerëve.
Policia e Shtetit nuk është kundërshtare e qytetarëve. Ajo është në shërbim të tyre.
Nuk duhet dhe nuk mund të krijohet një klimë armiqësie ndërmjet qytetarëve dhe punonjësve të Policisë. Besimi dhe bashkëpunimi me publikun janë themeli i misionit tonë.
U shpreh mbështetjen time të plotë të gjithë punonjësve të Policisë që, pavarësisht vështirësive dhe rrezikut, po vijojnë të përmbushin detyrën me përkushtim.
U uroj shërim të shpejtë kolegëve të plagosur dhe shpreh mirënjohje për profesionalizmin dhe sakrificën e çdo punonjësi policie që është sot në shërbim të qytetarëve.
Në përfundim, dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit është dhe do të mbetet në krye të detyrës.
Nuk do të tërhiqemi përballë dhunës dhe nuk do të lejojmë që sulmet ndaj institucioneve të cenojnë përmbushjen e misionit tonë.
Do të veprojmë me vendosmëri, profesionalizëm dhe përgjegjësi, gjithmonë brenda kufijve të ligjit.
Siguria e qytetarëve, mbrojtja e jetës dhe garantimi i rendit publik janë detyrimi ynë dhe përgjegjësia jonë e panegociueshme.
Faleminderit!









