Eurodeputetja gjermane, Anna Strolenberg, ka reaguar për protestat studentore në Shqipëri. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Strolenberg akuzon kryeministrin Edi Rama për situatën e krijuar dhe duke kërkuar që Bashkimi Evropian dhe vendet e ndryshme të dënojnë dhunën e ndodhur gjatë tubimeve. Strolenberg thotë se ka parë video shqetësuese të përdorimit të forcës nga Policia ndaj protestuesve, megjithatë, sipas saj, përgjegjësia kryesore për situatën i takon kryeministrit Edi Rama.
Ajo kritikon gjithashtu atë që e konsideron mungesë vullneti për të luftuar realisht korrupsionin dhe për të ndërmarrë ndryshime domethënëse në vend. Eurodeputetja thekson se dëshiron që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, por nënvizon se procesi i integrimit duhet të shoqërohet me respektimin e të drejtave të qytetarëve.
Reagimi i eurodeputetes Anna Strolenberg:
Protestat në Shqipëri po shndërrohen në të dhunshme. Kam parë shumë, shumë video shqetësuese të policisë duke përdorur forcë brutale, duke ushtruar dhunë fizike dhe duke hedhur gaz lotsjellës. Fatkeqësisht, kam parë gjithashtu disa video ku persona të dhunshëm u vënë flakën ndërtesave. Mund dhe duhet të fajësojmë policinë ose ata pak protestues të dhunshëm. Por, sinqerisht, ata përbëjnë një pakicë. Përfundimi im, megjithatë, është i qartë: Edi Rama është shkaku i gjithë kësaj. Që nga dita e parë, ai i ka trajtuar me arrogancë protestuesit paqësorë të Flamingos. Ai refuzon të ndalë shkatërrimin e një zone natyrore të mbrojtur. Gjithashtu, nuk po tregon asnjë vullnet për të luftuar realisht korrupsionin dhe për të ndërmarrë ndryshime domethënëse në vend.
Unë dua që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne jemi të gjithë evropianë. Dhe pikërisht për këtë arsye, ndiej përgjegjësinë të veproj. Tani do t’i kërkoj Bashkimit Evropian, por edhe vendeve të ndryshme, ta dënojnë këtë dhunë. Megjithatë, ka diçka edhe më domethënëse që mund të bëjmë. Më 4 nëntor, Komisioni Evropian do të publikojë raportin e tij për zgjerimin. Dhe ky është momenti ynë për të kërkuar ndryshime. Nëse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të ketë një qeveri që respekton të drejtat themelore të qytetarëve të saj. Prandaj, le të ushtrojmë presion për ta bërë këtë të mundur!/









