Home Kryesore Dhunë në protesta dhe efektivë të pezulluar, reagon Ministri Demo: Policia tejkaloi...

Dhunë në protesta dhe efektivë të pezulluar, reagon Ministri Demo: Policia tejkaloi kompetencat

7
0

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas rasteve të dhunës së ushtruar nga efektivë të Policisë së Shtetit gjatë protestave të ditëve të fundit, duke bërë me dije se janë konstatuar dy raste të tejkalimit të kompetencave. Ai njoftoi se dy punonjësit e policisë janë pezulluar nga detyra, pas verifikimeve të kërkuara nga strukturat përkatëse.

Përmes një reagimi, Demo bëri të ditur se është njohur me rastet përmes pamjeve të publikuara në media dhe rrjetet sociale, ndërsa falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për marrjen e masës së pezullimit të dy efektivëve.

Ministri theksoi se, përgjatë tri ditëve të fundit, Policia e Shtetit është përballur me një situatë të vështirë.

Reagimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo:

Jam njohur sot me dy raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e forcave të Policisë, nëpërmjet pamjeve, të cilat janë bërë publike edhe në media apo rrjetet sociale. Menjëherë kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, marrjen e masave duke u referuar verifikimeve të domosdoshme.

Falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për masat e pezullimit të 2 punonjësve në fjalë.

Policia e Shtetit për 3 ditë rresht është gjendur përballë një situate të vështirë, ku forca të errëta kanë përdorur militantë, mercenarë dhe, çfarë është më e keqja, minorenë, duke i nxitur ata drejt akteve të dhunës ekstreme ndaj Policisë, institucioneve dhe bizneseve e pronës private.

Kam kërkuar përgjatë gjithë kohës, që përgjigjja e Policisë të ishte proporcionale dhe të mos tejkalonte asnjëherë caqet e vendosura nga ligji, ashtu siç kam kërkuar hetim dhe ndëshkim për çdo dhunues e shkelës të ligjit. Por ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që, të motivuar politikisht, dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat të cilat tejkalojnë kompetencat e ligjit.

Profesionalizmi i Policisë së Shtetit matet jo vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari. Për këtë kam qenë dhe jam shumë i qartë dhe çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar në përputhje me ligjin.

Dua sot të bëj edhe një apel mbi të gjitha për prindërit e atyre minorenëve, të cilët marrin pjesë në aktet e dhunshme. Flisni me fëmijët, mos i lejoni ata të përdoren nga politika e mbrapshtë dhe as të rriten duke u edukuar se rruga për të fituar kalon nëpërmjet dhunës!

Edhe njëherë, dua të siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se shteti i së drejtës do të triumfojë dhe siguria dhe rendi publik do të garantohen!