Home Aktualitet Pezullohen punimet për ndërtimin e muzeut hebraik në Vlorë! Gjykata pranon kërkesën...

Pezullohen punimet për ndërtimin e muzeut hebraik në Vlorë! Gjykata pranon kërkesën për sigurimin e padisë

3
0

Gjykata e Shkallës së Parë ka pezulluar punimet për ndërtimin e muzeut hebraik, në Vlorë. Gjykata ka pranuar kërkesën për sigurimin e padisë, duke vendosur pezullimin e punimeve në monumentin pranë ish-Klubit Patriotik “Labëria”.

Vendimin e Gjykatës e kanë bërë të ditur nga përfaqësuesit e nismës për mbrojtjen e monumentit, të cilët përmes një reagimi publik bëjnë me dije se vendimi ka fuqi të menjëhershme dhe do të jetë në fuqi deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes gjyqësore.

Në reagim thuhet se kjo nismë nuk është një betejë kundër askujt, por një përpjekje për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe për të respektuar ligjin. Ata theksojnë se kujtesa e hebrenjve të Vlorës dhe kontributi i familjeve vlonjate që i strehuan e i mbrojtën gjatë Luftës së Dytë Botërore janë pjesë e rëndësishme e historisë, por vlerësimi i kësaj historie nuk duhet të bëhet në dëm të monumenteve të tjera.

Ata bëjnë me dije se beteja ligjore do të vijojë, me synimin për të garantuar transparencën, ligjshmërinë dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit të Vlorës.