Home Aktualitet Protestat e dhunshme në Tiranë/ Shoqëria Civile: Çdo përdorim i forcës nga...

Protestat e dhunshme në Tiranë/ Shoqëria Civile: Çdo përdorim i forcës nga policia duhet të jetë i ligjshëm, asnje jetë nuk duhet vënë në rrezik

4
0

Organizatat e shoqërisë civile kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për mediat, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të dhunës gjatë protestave të ditëve të fundit në Shqipëri. Ato bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje nga protestuesit dhe policia, duke theksuar se mbrojtja e jetës, shëndetit dhe dinjitetit të qytetarëve, punonjësve të policisë, gazetarëve dhe kalimtarëve duhet të jetë përparësi. Organizatat nënvizojnë se e drejta për protestë paqësore është e garantuar me Kushtetutë dhe konventat ndërkombëtare.

Në deklaratë, ato kërkojnë që çdo përdorim i forcës nga policia të jetë i ligjshëm, i domosdoshëm dhe proporcional, duke dënuar ndërhyrjet e pajustifikuara ndaj protestuesve paqësorë. Ato kërkojnë ndihmë të menjëhershme mjekësore për të lënduarit, mbrojtje të veçantë për të miturit, respektimin e të drejtave të personave të ndaluar dhe hetim të pavarur për çdo pretendim për dhunë. Njëkohësisht, u bëjnë thirrje përfaqësuesve politikë dhe drejtuesve të shtetit të shmangin retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për dialog.

NJOFTIM PËR MEDIAT

19 organizata të shoqërisë civile bëjnë thirrje për ndalimin e dhunës dhe respektimin e të drejtës për protestë paqësore në Shqipëri.

Përballë përshkallëzimit të dhunës gjatë protestave të ditëve të fundit në Shqipëri, 19 organizata të shoqërisë civile kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të dhunës, mbrojtjen e jetës dhe respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve.

Ndaloni dhunën, mbroni jetën dhe të drejtën për protestë paqësore! Ne, organizatat e shoqërisë civile nënshkruese të kësaj deklarate, përballë përshkallëzimit të tensioneve dhe raportimeve për të lënduar gjatë protestave të ditëve të fundit në Shqipëri, bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe vetëpërmbajtje nga të gjithë.

Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe dinjitetit të protestuesve, punonjësve të policisë, gazetarëve dhe kalimtarëve duhet të jetë përparësia absolute. Protesta paqësore është një e drejtë themelore, e garantuar nga neni 47 i Kushtetutës, neni 11 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe neni 21 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. U bëjmë thirrje pjesëmarrësve të protestojnë paqësisht, pa sulme ndaj personave dhe pa shkatërrim të pronës. Autoritetet kanë detyrimin të lehtësojnë protestën paqësore, të ulin tensionet dhe të parandalojnë lëndimet.

Çdo përdorim i forcës nga policia duhet të jetë i ligjshëm, rreptësisht i nevojshëm dhe proporcional, duke përdorur paraprakisht mjetet paqësore. Aktet e dhunës së individëve të veçantë nuk justifikojnë ndërhyrje pa dallim ndaj protestuesve paqësorë. Dënojmë çdo përdorim të pajustifikuar apo disproporcional të forcës nga strukturat policore ndaj protestuesve dhe theksojmë se garantimi i rendit publik nuk mund të shërbejë si justifikim për cenimin e integritetit fizik, dinjitetit dhe të drejtave themelore të qytetarëve.

Kërkojmë ndihmë të menjëhershme mjekësore për çdo të lënduar, mbrojtje të posaçme për të miturit dhe respektimin e të drejtave të çdo personi të ndaluar. Çdo pretendim për dhunë apo përdorim të paligjshëm të forcës duhet të hetohet shpejt, në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. U bëjmë thirrje përfaqësuesve të politikës dhe drejtuesve të shtetit të shmangin retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për dialog. Respektoni të drejtën e protestës paqësore. Mbroni jetën dhe dinjitetin e çdo personi. Asnje jetë nuk duhet vënë në rrezik.

Organizatat Nënshkruese:

1. Civil Rights Defenders, Shqipëri

2. SCiDEV

3. Rrjeti AWEN

4. Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim

5. Qendra “Faktoje”

6. Albanian Institute of Science AIS

7. Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri, BIRN Albania

8. Rrjeti Erasmus Tirana

9. Citizens.al 10. Qendra Amfora

11. Qendra për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillim të Qëndrueshëm

12. Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri – PPNEA

13. Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike – ACER

14. Partners Shqipëri

15. Qendra Për Studime të Krahasuara dhe Ndërkombëtare/QSKN

16. Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore

17. Rrjeti i Informimit dhe Qytetarisë Aktive INAC

18. Organizata ‘Together for Life’

19. Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ASHG