Home Botë OKB reagon për dhunën në Tiranë: Të garantohet siguria dhe dinjiteti i...

OKB reagon për dhunën në Tiranë: Të garantohet siguria dhe dinjiteti i protestuesve

6
0

Kombet e Bashkuara në Shqipëri kanë reaguar për situatën e tensionuar gjatë protestave në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe duke u bërë thirrje të gjitha palëve të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të përplasjeve.

Në deklaratën e publikuar më 16 tetor, OKB-ja vë theksin te respektimi i të drejtave themelore të qytetarëve, përfshirë të drejtën për tubim paqësor, lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit. Organizata nënvizon gjithashtu rëndësinë e garantimit të sigurisë dhe dinjitetit të çdo personi, si dhe mbrojtjes së pronës publike dhe private.

Një mesazh i drejtpërdrejtë u drejtohet edhe forcave të rendit. OKB-ja kërkon që veprimet e policisë të karakterizohen nga vetëpërmbajtja dhe proporcionaliteti, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Në deklaratë theksohet gjithashtu rëndësia e respektimit të garancive për një proces të rregullt ligjor.

Në përfundim, Kombet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha palëve të përfshira të heqin dorë nga dhuna, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të zgjedhin dialogun konstruktiv si rrugë për kapërcimin e situatës.

Deklarata e plotë e OKB-së në Shqipëri

“Kombet e Bashkuara në Shqipëri shprehin shqetësimin për aktet e fundit të dhunës dhe përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave në Tiranë. Rikonfirmojmë rëndësinë e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të tubimit paqësor, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit, si dhe të garantimit të sigurisë dhe dinjitetit të të gjithëve, në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Theksojmë rëndësinë e vetëpërmbajtjes dhe proporcionalitetit në veprimet e forcave të rendit, respektimit të garancive për një proces të rregullt ligjor dhe mbrojtjes së pronës publike dhe private, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira të përmbahen nga dhuna, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv, në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të angazhimit të përbashkët për paqen dhe shtetin e së drejtës.”