Tirana është përfshirë ditën e sotme nga një kaos i paprecedentë që ka shpërthyer nga protesta e studentëve mëngjesin e sotëm, duke zgjatur deri në orët e vona të natës.
Dhjetra biznese private, institucione shtetërore janë dëmtuar nga dhuna e protestuesve, teksa nga përplasjet me policinë janë plagosur mbi 50 persona.
Gazetari Blendi Fevziu, duke komentuar mbi këtë situatë, e ka vënë vëmendjen te mungesa e reagimeve nga krerët e shtetit dhe institucioneve.
Ai është shprehur si habitur se si presidenti Bajram Begaj ka reaguar sipas tij me një postim të vetëm në rrjetet sociale, si të ishte “influencer”. Fevziu ka kritikuar edhe ministrat e qeverisë Rama për të njëjtën sjellje, duke thënë se “janë fshehur të gjithë pas postimeve në facebook”.
“Ku është presidenti? I pari i shtetit? Ai reagon në rrjet si të ishte influencer! Duhet të thërriste palët politike, të gjithë presidentët kanë reaguar dhe Mejdani, dhe Berisha. President nxjerr një postim në Facebook. Të gjitha institucionet shqiptare duhet të reagojnë se është turp, janë fshehur të gjithë pas facebook-ut dhe dalin aty sikur të jenë punonjës të Zuckerbergut dhe jo punonjës të shtetit shqiptar”, tha Fevziu në emisionin “Opinion”.









