Dy persona janë lënë në burg nga Gjykata e Gjirokastrës pas atentatit me tritol që i mori jetën 48-vjeçarit Beqir Devolli. Gjyqtari Ervin Kore në seancën e zhvilluar këtë të diel, më 18 tetor, ka vlerësuar të ligjshëm ndalimin e Behar Zyberit, Alias Behar Heqimaj, dhe Shpëtim Malasit, duke caktuar për të dy masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Vrasje me paramendim”, të kryer në bashkëpunim. Zyberi, 64 vjeç, nga Fieri, dhe Malasi, 42 vjeç, banues në Patos, u arrestuan më 16 tetor, pas hetimeve për shpërthimin e ndodhur mbrëmjen e 10 tetorit në bulevardin “18 Shtatori”, përballë Policisë së Gjirokastrës.
Në kërkim janë shpallur gjithashtu Gentjan Zhupa, 38 vjeç, nga Tepelena, dhe Kliton Omeri, alias Kliton Nanushi, 44 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas policisë, atentati dyshohet se lidhet me prishjen e pazareve të drogës në vendet europiane. Hetuesit dyshojnë se katër personat kanë pasur role të ndryshme në organizimin, vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse në automjetin e Devollit.
Nga shpërthimi humbi jetën 48-vjeçari, ndërsa 26-vjeçari Erigels Mela, i cili ndodhej si pasagjer në automjet, mbeti i plagosur lehtë. Lënda plasëse ishte vendosur poshtë sediljes së shoferit.









